
Kombinati Mekanik Poliçan ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në jug të qytetit të Beratit. Uzina e Prodhimit të Municioneve (sot Kombinati Mekanik Poliçan), u ndërtua dhe filloi aktivitetin e sajë në vitet 60 – të.
Uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7. 62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundërkëmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatore KD 8, fishekzjarreve 180 mm etj.
Me kalimin e viteve, krahas prodhimit (deri në kapacitetet maksimale) të artikujve të mësipërm, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë proçes eksperimentimi u përfshinë dhjetra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vëndi. Si rezultat i kësaj pune, në vitet 80 – të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e nomeklaturës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3 200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndëruan Uzinën në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake.






